Subscribe:

Labels

Ranieri: Arbitrat terrorizohen nga Inter


Interi do të përballet sot në mbrëmje kundër Bolonjës, në ndeshjen e parë të javës së 24-t të Serisë A. Zikaltërit kërkojnë kthesën pas disfatës shokuese ndaj Novarës, por do të jenë pa dy lojtarë thelbësorë, si Diego Milito e Dejan Stankoviç, që janë me grip. 

“Vijmë nga ndeshje jo ekzaltuese, kemi marrë disa goditje të forta, që na kanë dërrmuar, - deklaroi trajneri Klaudio Ranieri në prag të takimit të sotëm. – Bolonja nuk ka humbur asnjë ndeshje jashtë fushe për këtë vit, por ne duhet të fitojmë, duke luajtur siç dimë vetë”. 

Ndërsa mungojnë Milito e Stankoviç, Ranieri mund të mbështetet tek Julio Sezar në portë dhe te Diego Forlan në sulm. 

Ndërkohë, tekniku zikaltër nuk ka qëndruar pa polemizuar me atë të Juventusit Antonio Conte, që deklaroi se arbitrat kanë frikë të akordojnë 11-metërsh për Juventus. 

“Nëse ai thotë kështu, atëherë po ju them se ndaj nesh janë të terrorizuar, - deklaroi Ranieri. – Inatosem shumë kur shoh që arbitri nuk e ka ndeshjen në dorë. Me ne kanë gabuar shumë, por nuk mund të jem dakord me Conten. Shpresoj që gjyqtarët të mos kondicionohen nga ata që ngrenë zërin”, përfundoi trajneri i Inter.